PARATHËNIE
Ky libër nuk është shkruar për të bindur askënd.
Nuk është shkruar për te ofruar një program politik, program qeverisjeje, apo një mënyrë te organizimit te shtetit.
As për të mbrojtur një parti, një ideologji apo një interes të caktuar.
Ai është shkruar për të ngritur një pyetje të thjeshtë:
Nëse çdo pushtet buron nga qytetarët, a e ushtrojne vërtet ata këtë sovranitet?
Prej shekujsh është folur për lirinë, drejtësinë, shtetin, demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Janë shkruar kushtetuta, janë ngritur institucione dhe janë ndërtuar sisteme politike.
Megjithatë, pyetja mbetet e njëjtë:
A është qytetari realisht burimi i vërtetë i pushtetit, burimi i legjitimitetit të tij?
Ky libër nuk synon të japë përgjigje përfundimtare.
Ai është një ftesë për reflektim.
Një përpjekje për të parë marrëdhënien midis njeriut, qytetarit, shoqërisë dhe shtetit nga këndvështrimi i përgjegjësisë dhe historisë.
Sepse sovraniteti nuk është vetëm një e drejtë. Ai është, mbi të gjitha, një detyrim.
Në këto faqe nuk do të gjeni receta politike, programe qeverisëse apo modele të hollësishme administrative.
Organizimi i shtetit është detyrë e kushtetutës, e ligjeve dhe e profesionistëve.
Qëllimi i këtij libri është më i thjeshtë dhe njëkohësisht më themelor:
Të rikthejë në qendër të vëmendjes qytetarin si burimin e çdo pushteti dhe si mbajtësin e përgjegjësisë më të madhe ndaj shoqërisë.
Filozofia e Sovranit nuk ndërtohet mbi mosbesimin ndaj institucioneve. Ato janë te nevojshme Filozofia ndërtohet mbi besimin, dhe kulturën, se institucionet janë më të forta kur mbeten gjithmonë të lidhura me vullnetin e qytetarit.
Ky libër nuk kërkon të ndajë njerëzit.
Përkundrazi.
Ai mbështetet në bindjen se liria, drejtësia, dinjiteti dhe përgjegjësia janë vlera që i bashkojnë njerëzit, pavarësisht bindjeve të tyre politike, fetare apo ideologjike.
Ai është shkruar me një gjuhë të thjeshtë, jo për të thjeshtuar idetë, por për t'i bërë ato të kuptueshme për çdo qytetar.
Sepse filozofia nuk duhet të mbetet vetëm në auditore apo biblioteka.
Ajo duhet të jetë pjesë e jetës së përditshme. Bisedave në familje, ne miqesi dhe në shoqëri.
Filozofia mbi jetën, lirinë, dinjitetin dhe mirëqenien, nuk është terren i filozofëve, as I shkencëtarëve. Me fjalë te
thjeshta cdokush mund ta perkufizoj dhe ta trajtoj në çdo tryeze.
Ne se ky liber do te mund te lexohet edhe pas shume vitesh, ai ja ka arritur qëllimit.
Ai nuk flet për ngjarje të përkohshme, por trajton pyetje që i përkasin çdo brezi:
Çfarë është liria?
Çfarë është përgjegjësia?
Kush është Sovrani?
Dhe si duhet ta ushtrojë ai sovranitetin e tij?
Nëse këto faqe arrijnë të nxisin më shumë pyetje sesa përgjigje, atëherë diçka është arritur.
Sepse çdo ndryshim i qëndrueshëm fillon jo me një urdhër, por me një pyetje.
Dhe çdo shoqëri e lirë fillon me qytetarë që e kuptojnë, se sovraniteti nuk është një privilegj që u është dhënë.
Është një përgjegjësi që marrin dhe që duhet ushtruar çdo ditë.